Vdekja e një punonjëseje në një laborator rus që studion sëmundje të rrezikshme infektive ka ngritur shqetësime ndërkombëtare, pasi autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e saktë të sëmundjes që i mori jetën.
Darya Shipilova, 28 vjeçe, punonjëse e Institutit Kërkimor Kundër Murtajës në Irkutsk të Siberisë, vdiq më 2 tetor pas një pneumonie me origjinë të panjohur.
Sipas Reuters, autoritetet ruse vendosën fillimisht rreth 200 persona në karantinë, përfshirë individë që kishin pasur kontakt me viktimën. Masa shkaktoi shqetësim për mundësinë e përhapjes së një sëmundjeje të rrezikshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) konfirmoi më 10 tetor se shkaku i pneumonisë fatale mbetet i panjohur. Megjithatë, autoritetet ruse kanë raportuar se testimet për patogjenë me rrezik të lartë kanë rezultuar negative.
Sipas OBSH-së, nuk është identifikuar asnjë rast i konfirmuar i murtajës dhe nuk ka prova për përhapje të vazhdueshme të infeksionit.
Instituti ku punonte Shipilova merret me studimin e sëmundjeve infektive, përfshirë murtajën, kolerën dhe antraksin. Pikërisht natyra e punës së laboratorit ka nxitur spekulime mbi mundësinë e një incidenti biologjik.
Por autoritetet ruse i kanë mohuar pretendimet për një aksident laboratorik dhe kanë deklaruar se nuk është gjetur lidhje mes vdekjes së punonjëses dhe mikroorganizmave me të cilët ajo punonte.
Associated Press raporton se guvernatori i Irkutskut, Igor Kobzev, ka deklaruar se procedurat e sigurisë në institut janë respektuar dhe se situata epidemiologjike mbetet nën kontroll.
Rasti ka tërhequr edhe vëmendjen e Shteteve të Bashkuara. Presidenti Donald Trump ka komentuar situatën, ndërsa zyrtarët amerikanë kanë kërkuar më shumë transparencë për rrethanat e vdekjes.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore ruse kanë kryer mijëra analiza laboratorike te personat e ekspozuar. Sipas të dhënave të publikuara, nuk janë zbuluar raste të murtajës dhe shumica e personave të vendosur fillimisht në karantinë janë liruar.
OBSH thekson se mungesa e një diagnoze përfundimtare mbetet çështja kryesore e pazgjidhur, por vlerëson se informacionet e deritanishme nuk tregojnë për një kërcënim të përhapur ndaj shëndetit publik.
Vdekja e 28-vjeçares vazhdon të ngrejë pyetje, ndërsa autoritetet ndërkombëtare presin sqarime të mëtejshme për shkakun e sëmundjes.




