Rreth 42 mijë gra humbin jetën çdo vit nga komplikimet e lidhura me tensionin e lartë gjatë shtatzënisë, ndërsa qindra mijëra foshnja vdesin para ose menjëherë pas lindjes.
Të dhënat janë publikuar më 8 tetor nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, e cila ka prezantuar një strategji të re ndërkombëtare për parandalimin dhe trajtimin e këtyre komplikimeve.
Sipas OBSH-së, çrregullimet e tensionit të lartë prekin rreth 10 deri në 15 për qind të shtatzënive në mbarë botën dhe lidhen me afërsisht 16 për qind të vdekjeve të nënave.
Një nga komplikimet më të rrezikshme është preeklampsia, gjendje që zakonisht zhvillohet pas javës së 20-të të shtatzënisë dhe mund të dëmtojë organe të rëndësishme nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet.
OBSH vlerëson se komplikimet hipertensive lidhen gjithashtu me më shumë se 500 mijë vdekje të foshnjave dhe lindje të vdekura çdo vit.
Dr. Pascale Allotey, drejtuese e departamentit për shëndetin riprodhues dhe të nënës në OBSH, ka theksuar se preeklampsia mund të shfaqet në çdo shtatzëni dhe se zbulimi i hershëm është vendimtar për të parandaluar rastet fatale.
Në shumë vende, gratë shtatzëna vazhdojnë të kenë qasje të kufizuar në kontrollet bazë të tensionit, analizat e urinës dhe medikamentet e nevojshme.
Plani i ri global për periudhën 2026–2035 synon të përmirësojë diagnostikimin, qasjen në trajtime dhe financimin e kërkimeve shkencore.
OBSH paralajmëron gjithashtu se gratë që kanë kaluar komplikime hipertensive gjatë shtatzënisë mund të përballen më vonë me rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe probleme të veshkave.
Organizata u bën thirrje qeverive që kontrollet e rregullta gjatë shtatzënisë dhe kujdesi urgjent obstetrik të bëhen më të qasshme për të gjitha gratë, pavarësisht vendit ku jetojnë.




