Porsche po bën një nga ndryshimet më të mëdha strategjike të viteve të fundit, duke u larguar nga ambicia për një tranzicion të shpejtë drejt makinave elektrike dhe duke e vendosur përsëri motorin me djegie në qendër të disa prej modeleve më të rëndësishme.
Reuters raporton se drejtori ekzekutiv Michael Leiters ka prezantuar një plan të ri që synon ta bëjë Porsche më të vogël, më ekskluzive dhe dukshëm më fitimprurëse. Kompania do të prodhojë më pak makina dhe do të fokusohet më shumë te modelet sportive me marzhe të larta.
Ndryshimi më simbolik prek Porsche 911.
Sipas Reuters, kompania ka përjashtuar mundësinë e një 911 plotësisht elektrik në strategjinë aktuale. Modeli ikonë do të vazhdojë të mbështetet te motori me djegie dhe teknologjitë hibride.
Edhe Die Welt e përshkruan vendimin si një kthesë historike: më pak makina, çmime më të larta, më shumë ekskluzivitet dhe një 911 që mbetet me motor me djegie.
Strategjia e re mbështetet te parimi “value over volume”, pra vlera përpara volumit. Porsche synon të jetë në gjendje të arrijë pikën e rentabilitetit me më pak se 200,000 makina në vit. Për krahasim, vitin e kaluar kompania dorëzoi 279,449 automjete.
Porsche gjithashtu planifikon të zvogëlojë numrin e varianteve të modeleve me rreth 20%, ndërsa dëshiron të rrisë ndjeshëm të ardhurat që gjeneron secili model.
Çmimet pritet të shkojnë në drejtimin tjetër.
Financial Times raporton se Porsche synon të rrisë me rreth 20% çmimin mesatar të modeleve të saj më ekskluzive, duke e çuar atë mbi 330,000 euro deri në vitin 2030. Synimi është që marka të afrohet më shumë me modelin e biznesit të prodhuesve ultra-luksozë si Ferrari.
Porsche nuk po heq dorë plotësisht nga makinat elektrike. Sipas Reuters, kompania planifikon modele elektrike 718 për vitin 2028, ndërsa strategjia e ardhshme do të kombinojë motorët me benzinë, hibridet plug-in dhe makinat elektrike.
Kthesa vjen pas një periudhe të vështirë. Reuters raporton se shitjet globale të Porsche kanë rënë afro 10% nga nivelet e vitit 2022, ndërsa kërkesa është dobësuar veçanërisht në Kinë dhe SHBA. Marzhi operativ kishte rënë në vetëm 1.1% në vitin 2025.
Porsche synon që në afat të gjatë ta rikthejë marzhin operativ në 15%. Plani përfshin gjithashtu rreth 9,000 shkurtime vendesh pune, reduktim të niveleve menaxheriale dhe bashkëpunim më të madh me Audi për të ulur kostot.




