Një burrë 41-vjeçar ka humbur jetën në spital pas një ndërhyrjeje policore në një hotel në qytetin Herdecke të Gjermanisë, duke nxitur hetime për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Sipas transmetuesit publik gjerman WDR, policia u thirr rreth orës 02:30 të mëngjesit të së enjtes, 8 tetor, në hotelin Zweibrücker Hof, pas një njoftimi për një person të dyshimtë.
Kur efektivët mbërritën, 41-vjeçari ndodhej në një gjendje të rënduar psikologjike, sipas përshkrimit të policisë.
Personeli i urgjencës i dha ndihmën e parë dhe më pas e vendosi në ambulancë për ta transportuar drejt spitalit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë së qarkut Ennepe-Ruhr, gjendja shëndetësore e burrit u përkeqësua gjatë transportit. Ai ndërroi jetë pak kohë më vonë në spital.
WDR raporton se burri dyshohet se kishte shkaktuar trazira brenda hotelit, megjithëse policia nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë informacion.
Në vendngjarje ndërhyri edhe zjarrfikësja, pasi rreth orës 02:45 ishte raportuar një zjarr i mundshëm në një dhomë të hotelit.
Megjithatë, ekipet e emergjencës nuk konstatuan zjarr.
Policia kriminale ka nisur hetimet për vdekjen e 41-vjeçarit, ndërsa Prokuroria e Hagenit është informuar për rastin.
Sipas njoftimit fillestar të policisë, nuk ka indikacione për përfshirjen e një personi tjetër në shkaktimin e vdekjes. Megjithatë, shkaku i saktë ende nuk është përcaktuar.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimës dhe as hollësi të tjera mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar çfarë ndodhi gjatë ndërhyrjes dhe çfarë shkaktoi përkeqësimin e papritur të gjendjes së burrit.




