María del Carmen Abascal Martín, e njohur në gjithë Spanjën thjesht si Maricarmen, ka vdekur në moshën 87-vjeçare në spitalin Gregorio Marañón në Madrid.
El País raporton se Maricarmen kishte jetuar në të njëjtin apartament në lagjen Retiro për më shumë se shtatë dekada dhe, pavarësisht se vazhdonte të paguante qiranë, prej vitesh ishte përfshirë në një betejë ligjore për të mos u dëbuar nga shtëpia.
Dëbimi përfundimtar u ekzekutua më 23 shtator. EFE raportoi atë ditë se 87-vjeçarja u nxor nga ndërtesa me barelë dhe u dërgua me ambulancë, ndërsa jashtë banesës dhjetëra qytetarë protestonin në mbështetje të saj.
Pas dëbimit, gjendja e saj shëndetësore nuk e lejoi të largohej nga spitali.
Rasti shkaktoi protesta të mëdha dhe Maricarmen u kthye në një nga fytyrat më të njohura të debatit për qiratë dhe të drejtën për strehim në Spanjë. Reuters raporton se dëbimi i saj ndihmoi në nxitjen e protestave në mbarë vendin, ndërsa aktivistët ngritën edhe një kamp proteste në Puerta del Sol të Madridit.
Ironia tragjike është se, ndërsa Maricarmen ndodhej në spital, përfaqësuesit e saj arritën marrëveshje me kompaninë pronare që ajo të mund të kthehej në apartament.
Sipas Europa Press, marrëveshja parashikonte një kontratë të re tetëvjeçare dhe qira që nuk do të kalonte 30 për qind të të ardhurave të saj neto. Por Maricarmen nuk arriti të kthehej më në shtëpinë për të cilën kishte luftuar.
Vdekja e saj ka sjellë reagime edhe në nivelin më të lartë politik. AP raporton se kryeministri Pedro Sánchez i shprehu ngushëllime familjes dhe njerëzve të afërt të 87-vjeçares. Në Puerta del Sol, protestuesit mbajtën një minutë heshtje në kujtim të saj.
Historia e Maricarmenit tashmë është bërë pjesë e një debati shumë më të madh mbi krizën e banesave në Spanjë. Ajo kishte kërkuar që protestuesit të vazhdonin betejën edhe pas rastit të saj.




