Është zbuluar identiteti i të riut që u vra nga një tigër në parkun Yorkshire Wildlife Park, pranë qytetit Doncaster në Angli. Sipas BBC, viktima është William Chapman, i cili humbi jetën të shtunën, më 10 tetor, pasi hyri në hapësirën ku mbahej kafsha e egër.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:35, kur Chapman kaloi barrierat mbrojtëse dhe iu afrua një tigri siberian të quajtur Altai, me peshë rreth 200 kilogramë.
Sipas gazetës The Guardian, dëshmitarët kanë treguar se i riu u ngjit mbi gardhin mbrojtës dhe zbriti në hapësirën e tigrit, pavarësisht paralajmërimeve të vizitorëve që ndodheshin aty.
Një dëshmitare i tha BBC-së se e kishte parë Chapman me kufje në vesh, duke ecur vazhdimisht pranë hapësirës së kafshës përpara se të hynte brenda.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale duket se tregojnë të riun duke iu afruar tigrit, ndërsa vizitorët përpiqeshin ta paralajmëronin për rrezikun.
Sipas policisë së South Yorkshire, shërbimet emergjente mbërritën menjëherë pas njoftimit, por Chapman u shpall i vdekur në vendngjarje. Autoritetet konfirmuan se ai po e vizitonte parkun i vetëm.
Pas sulmit, parku u evakuua dhe mbeti i mbyllur ndërsa policia dhe autoritetet lokale nisën hetimet për të përcaktuar se si viktima kishte arritur të kalonte masat e sigurisë.
Këshilli Bashkiak i Doncaster ka konfirmuar hapjen e një hetimi për sigurinë në park. Ndërkohë, organizata për mbrojtjen e kafshëve Born Free ka kërkuar një shqyrtim urgjent të rrethanave të incidentit.
Çfarë do të ndodhë me tigrin?
Drejtuesit e Yorkshire Wildlife Park kanë konfirmuar se tigri Altai nuk do të eutanazohet. Kafsha nuk është lënduar gjatë incidentit dhe vazhdon të qëndrojë në hapësirën e saj.
Tigrat e Amurit, të njohur edhe si tigra siberianë, janë ndër kafshët më të rralla të egra dhe konsiderohen specie të rrezikuara.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos shpërndajnë videot e sulmit, për të respektuar privatësinë e familjes së viktimës.
Motivi që e shtyu Chapman të hynte në hapësirën e tigrit mbetet ende i paqartë.




