Aktori i njohur hollivudian Tommy Lee Jones ka bërë një paraqitje të rrallë publike në moshën 80-vjeçare, duke marrë pjesë në premierën e sezonit të dytë të serialit The Lowdown në Austin të Teksasit.
Sipas revistës amerikane Entertainment Weekly, fituesi i çmimit Oscar u shfaq në tapetin e kuq për të mbështetur projektin e ri televiziv, ku interpreton personazhin Lee Raybon Sr., babanë e personazhit që luhet nga Ethan Hawke.
Paraqitja ka tërhequr vëmendje të veçantë pasi Jones ka qenë rrallë i pranishëm në aktivitete publike gjatë muajve të fundit.
Aktori po kalon një periudhë të rëndë personale pas vdekjes së vajzës së tij, Victoria Kafka Jones, në fillim të vitit 2026. Sipas Entertainment Weekly, vdekja e saj ishte pasojë e efekteve toksike të kokainës.
Victoria kishte ndjekur gjithashtu rrugën e aktrimit dhe ishte shfaqur në disa prej filmave të babait të saj.
Pavarësisht tragjedisë familjare, Tommy Lee Jones është rikthyer në ekran me një rol që e bashkon me Ethan Hawke, një tjetër emër të njohur të kinematografisë amerikane.
Hawke ka shprehur admirim për karrierën e gjatë të Jones, duke e konsideruar privilegj mundësinë për të punuar përkrah tij, raporton Entertainment Weekly.
Seriali "The Lowdown" përfshin gjithashtu aktorët Ryan Kiera Armstrong, Keith David, Jeanne Tripplehorn dhe Betty Gilpin.
Sezoni i dytë pritet të shfaqet më 14 tetor në FX dhe Hulu, duke rikthyer Jones në vëmendjen e publikut ndërkombëtar.
Aktori amerikan është një nga figurat më të respektuara të Hollywood-it, i njohur veçanërisht për filmat The Fugitive dhe Men in Black.
Ai fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë në rol dytësor për interpretimin në "The Fugitive" dhe ka ndërtuar një karrierë që përfshin disa dekada.
Përpara këtij projekti televiziv, Jones ishte shfaqur në filmat "The Burial" dhe "Finestkind", të publikuar në vitin 2023.
Rikthimi i tij në tapetin e kuq, pas një periudhe të vështirë, shënon një moment të rëndësishëm personal dhe profesional për aktorin veteran.




