Kelly Osbourne ka folur hapur për periudhën më të vështirë të jetës së saj, duke zbuluar se pikëllimi pas vdekjes së babait, legjendës së muzikës rock Ozzy Osbourne, ndikoi thellësisht në gjendjen e saj emocionale dhe fizike.
Në një intervistë për gazetën britanike The Sun, të raportuar më 11 tetor nga revista amerikane People, 41-vjeçarja tregoi se ka shtuar afro 30 paund, ose rreth 14 kilogramë, që nga paraqitja e saj në ceremoninë BRIT Awards në shkurt të këtij viti.
Në atë kohë, pamja e saj shumë e dobët kishte shkaktuar reagime dhe shqetësime në rrjetet sociale.
Kelly pranoi se as vetë nuk e kishte kuptuar sa shumë kishte ndryshuar fizikisht, derisa pa fotografitë e ceremonisë.
“Nuk e dija që dukesha ashtu derisa pashë fotografitë. U trondita po aq sa të gjithë të tjerët”, deklaroi ajo për The Sun.
Sipas People, Osbourne shpjegoi se humbja e madhe e peshës lidhej me vështirësitë që po përjetonte pas vdekjes së babait të saj në korrik 2025.
Ajo mohoi se kishte vuajtur nga ndonjë çrregullim i të ngrënit, duke treguar se pikëllimi e kishte bërë të paaftë të kujdesej siç duhet për veten.
“Kur haja, më dukej sikur do të vjellja”, rrëfeu ajo.
Por pjesa më prekëse e intervistës lidhet me një vizitë në varrin e Ozzy Osbourne.
Kelly tregoi se, në një moment dëshpërimi, shkoi te varri i babait me një qiri të bardhë dhe shkroi mbi të një dëshirë të thjeshtë: “Të lutem, më ndihmo”.
Ajo shpjegoi se nuk dëshironte që djali i saj trevjeçar, Sidney, ta shihte në atë gjendje.
Sipas rrëfimit të saj, të nesërmen nëna e saj, Sharon Osbourne, i prezantoi terapistin dhe këshilltarin Chris Miller.
Kelly e konsideron këtë takim një pikë kthese në jetën e saj dhe thotë se Miller e ndihmoi të përballonte periudhën e rëndë.
Përveç humbjes së babait, ajo u përball edhe me përfundimin e marrëdhënies me të fejuarin e saj, Sid Wilson, me të cilin ka një djalë.
Sipas Page Six, Kelly e përshkroi vitin e fundit si më të vështirin e jetës, por pranoi se kjo periudhë i kishte mësuar shumë për dashurinë dhe pikëllimin.
Në intervistë, ajo iu përgjigj edhe spekulimeve për ndërhyrje estetike, duke mohuar se ka kryer operacione plastike. Kelly pranoi vetëm përdorimin e Botox-it në disa zona të fytyrës.
Ajo kritikoi komentet fyese për pamjen e saj dhe kërkoi më shumë mirëkuptim për njerëzit që kalojnë vështirësi personale.
Kelly Osbourne, e cila mbush 42 vjeç këtë muaj, u bë e famshme që në adoleshencë përmes reality show-t familjar “The Osbournes”.
Sot, pas një periudhe të gjatë pikëllimi dhe ndryshimesh personale, ajo thotë se po përpiqet të rindërtojë jetën e saj, duke vendosur në qendër shëndetin emocional dhe kujdesin për djalin.




