Diddy nxirret me urgjencë nga burgu, çfarë i ndodhi?

1000256343.png

Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs u transportua me ambulancë për trajtim mjekësor pas një dëmtimi në kokë. Rrethanat e incidentit mbeten të paqarta.

Reperi dhe producenti i njohur amerikan Sean “Diddy” Combs është nxjerrë me urgjencë nga burgu federal Fort Dix në New Jersey, pasi kishte pësuar një dëmtim në kokë.

Sipas TMZ, incidenti ka ndodhur në orët e para të së shtunës, më 10 tetor, ndërsa informacioni është bërë publik të hënën, më 12 tetor 2026.

Burime brenda institucionit korrektues kanë treguar se një ambulancë është larguar nga burgu rreth orës 01:00 të mëngjesit, duke transportuar reperin 56-vjeçar për trajtim mjekësor.

TMZ raporton se Diddy dyshohet të jetë dërguar në një spital pranë burgut, megjithëse destinacioni i saktë nuk është konfirmuar.

Fatmirësisht, sipas burimeve të medias amerikane, dëmtimi nuk ka qenë kërcënues për jetën. Reperi është kthyer në burg përpara agimit, në gjendje të vetëdijshme dhe në gjendje të komunikonte normalisht.

Ende nuk dihet se si e ka pësuar dëmtimin në kokë dhe nëse incidenti ka ndodhur si pasojë e një rrëzimi apo e ndonjë ngjarjeje tjetër.

Ky zhvillim vjen në një periudhë të trazuar për ish-manjatin e muzikës, i cili së fundmi është vendosur në një njësi të veçantë sigurie brenda burgut.

Sipas TMZ, ndaj tij janë ngritur pretendime se kishte përfituar kushte të privilegjuara gjatë vuajtjes së dënimit, përfshirë masazhe, pije alkoolike dhe përdorimin e një telefoni celular.

Gjithashtu, gjatë muajit korrik, Diddy ishte përfshirë në një përleshje me një të burgosur tjetër.

Sean Combs po vuan një dënim prej 50 muajsh burgim, pasi u shpall fajtor në vitin 2025 për dy akuza që lidhen me transportimin e personave për prostitucion.

Data e parashikuar për lirimin e tij është shtyrë nga janari në mars të vitit 2028.

Përfaqësuesit e reperit kanë deklaruar për revistën People se po përpiqen të konfirmojnë hollësitë e incidentit dhe se shëndeti i tij mbetet shqetësimi kryesor.

Ende nuk ka një shpjegim zyrtar për shkakun e dëmtimit që kërkoi ndërhyrjen mjekësore.

Share this story
Back to homepage