Po lëvizte shkallën pranë kabllove, 24-vjeçari vdes para se të bëhej baba

1000253300.png

Connor Lambert humbi jetën nga goditja elektrike gjatë punës në një shtëpi në Angli. Dy vjet pas tragjedisë, njerku i tij është dënuar pasi hetimet zbuluan se puna nuk ishte planifikuar dhe organizuar në mënyrë të sigurt.

Një ngjarje tragjike në vendin e punës në Angli është rikthyer në vëmendje pasi gjykata dënoi njerkun e një 24-vjeçari që humbi jetën nga goditja elektrike.

Health and Safety Executive, HSE, njofton se Connor Lambert, një piktor në trajnim nga Market Drayton, vdiq më 29 korrik 2024 teksa punonte në një pronë në Farndon, pranë Chesterit. Në atë kohë, ai dhe partnerja e tij prisnin fëmijën e tyre të parë.

Lambert po lëvizte një shkallë të zgjatur së bashku me një koleg pranë pjesës anësore të shtëpisë. Sipas hetimit të HSE, shkalla ose preku linjën elektrike mbi ta, ose iu afrua aq shumë sa rryma krijoi një hark elektrik.

Lambert u godit për vdekje, ndërsa kolegu i tij pësoi djegie në duar, këmbë dhe bark.

Hetuesit konstatuan se puna në lartësi nuk ishte planifikuar, mbikëqyrur dhe realizuar në mënyrë të sigurt. HSE thotë se pajisjet dhe metodat e zgjedhura nuk ishin të përshtatshme dhe se rreziku nga linjat elektrike ajrore nuk ishte vlerësuar dhe kontrolluar siç duhej.

Përgjegjës për punimet ishte njerku i viktimës, Daniel Watton, 50 vjeç, i cili operonte me biznesin Inside Out Painters and Decorators Property Maintenance.

Construction Enquirer raporton se Watton pranoi fajësinë për shkeljen e rregullave të sigurisë në punë. Më 6 tetor, Gjykata e Magjistraturës në Warrington e dënoi atë me 16 javë burgim, të pezulluara për 12 muaj, si dhe e urdhëroi të paguajë 10,645 paund shpenzime.

Tragjedia bëhet edhe më e rëndë nga ajo që ndodhi vetëm disa javë më vonë.

Partnerja e Connor, Megan McCann, ishte në javën e 32-të të shtatzënisë kur mori lajmin për vdekjen e tij. Construction Enquirer, duke cituar deklaratën e saj pas vendimit gjyqësor, raporton se vajza e çiftit lindi vetëm 23 ditë pas vdekjes së Connor.

Inspektorja e HSE, Keeley Eves, tha se ngjarja mund dhe duhej të ishte parandaluar me planifikim dhe masa të përshtatshme sigurie.

Share this story
Back to homepage