Ish-ylli i televizionit gjerman Marvin Linke ka folur publikisht për një periudhë të vështirë të jetës së tij, rreth një dekadë pasi u largua nga seriali i RTL, “Unter uns”.
Në një intervistë për BILD, aktori 34-vjeçar ka treguar se në atë periudhë vuante nga ajo që ai e përshkruan si varësi ndaj seksit. “Përditshmëria ime kontrollohej vetëm nga seksi”, ka rrëfyer Linke, duke thënë se në kulmin e problemit kishte disa partnere njëkohësisht.
Linke u bë pjesë e “Unter uns” kur ishte vetëm 17 vjeç. Fama e menjëhershme dhe vëmendja e madhe nga fansat, sipas tij, ndikuan në mënyrën se si filloi të sillej.
Por situata nuk mbeti vetëm jashtë punës.
TV Spielfilm, duke iu referuar intervistës së tij për BILD, raporton se Linke ka pranuar se kishte pasur marrëdhënie intime edhe në ambientet ku realizohej seriali, përfshirë garderobën e aktorëve. Për këtë sjellje ai thotë se kishte marrë paralajmërime nga drejtuesit.
Incidenti më serioz, sipas rrëfimit të tij, ndodhi pas një feste në një studio aty pranë. Linke tha se ishte futur me një grua në ambientet e xhirimeve të “Unter uns”, në skenografinë e njohur si Schillerallee.
“Security na kapi praktikisht gjatë një quickie”, ka treguar ai për BILD. Më pas, sipas Linke, drejtuesit e produksionit e përballën me pamjet e kamerave të sigurisë. Jo shumë kohë më vonë, angazhimi i tij në serial përfundoi.
Aktori thotë se largimi nga Këlni dhe kthimi në Hannover e ndihmuan të ndryshonte jetën dhe të largohej nga varësia.
Sot situata e tij personale është krejt tjetër. TV Spielfilm raporton se Linke është i martuar dhe baba i një vajze, ndërsa ai e konsideron familjen një prej faktorëve kryesorë që i kanë dhënë stabilitet.
Linke thotë se ka vendosur të flasë publikisht për përvojën e tij edhe për të thyer tabunë rreth varësisë seksuale dhe problemeve të ngjashme në industrinë e argëtimit.




