Baseballi amerikan drejt ndryshimit historik, MLB propozon rregulla të reja

1000253900.png

Sezoni mund të shkurtohet për herë të parë pas më shumë se gjashtë dekadash, ndërsa skuadrat më të mira mund të fitojnë të drejtën të zgjedhin kundërshtarët në playoff.

Liga më e madhe e bejsbollit në Shtetet e Bashkuara, Major League Baseball (MLB), ka paraqitur një propozim për ndryshime të rëndësishme në formatin e garave, të cilat mund të transformojnë sezonin e rregullt dhe fazën përfundimtare të kampionatit.

Sipas ESPN dhe Associated Press, drejtuesit e MLB-së u kanë propozuar përfaqësuesve të lojtarëve që sezoni i rregullt të shkurtohet nga 162 në 154 ndeshje për çdo skuadër, duke filluar nga viti 2029.

Nëse miratohet, ky do të ishte një rikthim te formati që përdorej gjerësisht në bejsbollin amerikan përpara viteve 1960.

Por ndryshimi më i pazakontë lidhet me playoff-in.

Sipas propozimit, skuadrat me renditjen më të mirë do të mund të zgjedhin kundërshtarët e tyre në dy raundet e para të fazës përfundimtare, në vend që përballjet të përcaktohen vetëm nga skema tradicionale.

Ky sistem mund të hyjë në fuqi që në vitin 2027, nëse arrihet marrëveshja e nevojshme.

MLB ka propozuar gjithashtu që seria e divizioneve të zgjerohet nga maksimumi pesë në maksimumi shtatë ndeshje, duke filluar nga sezoni 2029.

Ndryshimi do të krijonte më shumë mundësi për përballje vendimtare mes skuadrave dhe do të zgjeronte kalendarin e playoff-it.

Një tjetër element i planit është vendosja e një dite të rregullt pushimi gjatë javës, kryesisht të hënën, me përjashtime për ndeshje të caktuara televizive dhe festa kombëtare.

Zëdhënësi i MLB-së, Glen Caplin, tha se shkurtimi i sezonit do të ndihmonte shëndetin e lojtarëve dhe do të krijonte mundësi të reja për transmetimin e ndeshjeve më të rëndësishme.

Megjithatë, propozimi nuk është miratuar.

Sindikata e lojtarëve, MLB Players Association, ka konfirmuar se po shqyrton ndryshimet, por ka kundërshtuar lidhjen e tyre me kërkesën e pronarëve për vendosjen e një kufiri maksimal të pagave.

Sipas Reuters, negociatat zhvillohen përpara skadimit të marrëveshjes aktuale kolektive më 1 dhjetor 2026.

Mosmarrëveshjet mbi pagat dhe kushtet e punës mund të komplikojnë arritjen e një marrëveshjeje, pavarësisht interesit për ndryshimet sportive.

Për tifozët amerikanë, propozimi ngre një pyetje të rëndësishme: a do ta bëjnë më emocionues kampionatin më pak ndeshje gjatë sezonit dhe më shumë përballje vendimtare në playoff?

Përgjigjja do të varet nga negociatat mes ligës dhe lojtarëve, të cilët duhet të bien dakord përpara se ndryshimet të bëhen realitet.

Share this story
Back to homepage